Pas nëntë vitesh të mbushura me suksese dhe rekorde, Mohamed Salah ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij me Liverpoolin në përfundim të këtij sezoni.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga vetë lojtari, duke shënuar kështu mbylljen e një epoke të artë për “The Reds”.
Sulmuesi egjiptian largohet si një nga figurat më të mëdha në historinë e klubit, me plot 255 gola të shënuar dhe një palmares të pasur që përfshin trofetë më të rëndësishëm në futbollin europian dhe anglez.
Edhe pse në moshën 33-vjeçare vazhdon të performojë në nivele të larta, Salah ka vendosur të nisë një kapitull të ri në karrierë.
Sipas raportimeve të fundit, destinacioni i tij i ardhshëm pritet të jetë Arabia Saudite, me Al Ittihad në “pole-position” për të siguruar shërbimet e tij.
Negociatat kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe klubi saudit ka ndërmarrë hapa konkretë për të hapur rrugën e transferimit, duke planifikuar largimin e emrave të mëdhenj si NGolo Kanté dhe Karim Benzema, ndërsa pritet edhe largimi i Moussa Diaby.
Oferta financiare është marramendëse: rreth 100 milionë euro në sezon për një kontratë dyvjeçare, që do ta bënte Salah një nga futbollistët më të paguar në botë.
Për krahasim, paga e tij aktuale te Liverpooli është më shumë se katër herë më e ulët.
Në mënyrë të pazakontë, Liverpooli ka vendosur të mos kërkojë asnjë kompensim për largimin e yllit të tij, pavarësisht se kontrata ishte ende në fuqi.
Një vendim që tregon respektin dhe mirënjohjen e klubit për kontributin e jashtëzakonshëm të Salah gjatë këtyre viteve.
Një epokë mbyllet në “Anfield”, por një aventurë e re, me përmasa gjigante, është gati të nisë për “Faraonin”.