Pushimet kanë përfunduar.
Pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimit të kombëtares, Tirana I rikthehet misionit të saj për të shpëtuar sezonin.
Pas fitores në dy ndeshjet e fundit kundër rivalëve direktë Bylis dhe Vora, bardheblutë e drejtuar nga Orges Shehi kanë këtë të premte një tjetër “finale” për mbijetesën në transfertën kundër Flamurtarit në javën e 30 të Kategorisë Superiore.
Tirana nuk preferoi të luajë ndeshje miqësore gjatë ndalesës së sezonit, por shfrytëzoi këto ditë për të rikuperuar lojtarë të rëndësishëm si Xhixha dhe Tabeku.
Pas dy fitoreve të rëndësishme në sfidat direkte përpara ndërprerjes së Kategorisë Superiore, Tirana është ngjitur në kuotën e 27 pikëve. Por 26 herë kampionët e Shqipërisë vijojnë të jenë në kërkim të dëshpëruar të pikëve, pasi vijojnë të jenë në zonën e ftohtë të renditjes.