Skuadra e Gjilanit ka mbyllur përgatitjet para sfidës së fundjavës ndaj Prishtina e Re, e cila do të zhvillohet të shtunën, më 4 prill.
“Pas një periudhe pauze për shkak të angazhimeve të kombëtareve, ekipi ka shfrytëzuar maksimalisht këtë kohë për të rikuperuar energjitë dhe për të punuar në aspektin fizik dhe taktik.
Atmosfera në ekip është tejet pozitive, me futbollistët që duken të motivuar për të dhënë maksimumin në ndeshjen e radhës.
Megjithatë, trajneri nuk do t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët. Jashtë listës për këtë përballje kanë mbetur Shqiprim Taipi dhe Hamdi Namani, të cilët janë të lënduar dhe po vazhdojnë fazën e rikuperimit. Po ashtu, mungesë e rëndësishme do të jetë edhe Albin Prapashtica, i cili është i suspenduar dhe nuk mund të kontribuojë në këtë takim.
Pavarësisht mungesave, Gjilani synon të paraqitet sa më mirë dhe të marrë rezultat pozitiv, duke u mbështetur në grupin aktual dhe në formën e mirë që synon ta tregojë pas kësaj pauze.\
Përballja ndërmjet Prishtinës së Re dhe Gjilanit është e treta në këtë edicion garash dhe zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në kampin nacional në Hajvali”, thuhet nga SC Gjilani.