Partizani - Vllaznia kryesfida e javës së 30-t

- Bota Sot

Partizani - Vllaznia kryesfida e javës së 30-t

Partizani-Vllaznia pritet të jetë kryesfida e ditës së sotme në Abissnet Superiore, e vlefshme për javën e 30-të.

Ndeshja është programuar për t’u luajtur në stadiumin “Arena e Demave” në orën 17:00, do të përballë dy skuadra që vijnë me synimet e qarta për të marrë maksimumin.

“Demat” vijnë në këtë duel si skuadra e momentit e Superiores pasi në javët e fundit kanë tre fitore dhe dy barazime. Në prag të sfidës në konferencën e së premtes, trajneri Oltijon Kërnaja theksoi se në 90 minuta do të luhet për fitore për t’iu afruar më shumë ambicieve për titullin kampion.

Edhe pse statistikat nuk i ka në favor, tropojani beson se me “Të Kuqtë” do të vijë kthesa e shumëpritur ndaj shkodranëve për fitoren e parë në drejtimin e skuadrës.

Sakaq, në kampin e kryesuesve janë të vetëdijshëm se një frenim i radhës, kur tri orë më vonë Elbasani do të luajë në kryeqytet me Dinamon, do të ishte një ndalesë e rrezikshme, pasi distanca me pikë sa vjen e ngushtohet dhe gara vijon të mbetet e hapur, kur kanë mbetur dhe 7 javë drejt përfundimit, përpara se top-4 skuadrat finaliste t’iu drejtohen “Final Four”.

Po ashtu, edhe sfida në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Bylisit luhet për objektiva të rëndësishëm. Skuadra e Edlir Tetovës është ende në pozita të favorshme për të siguruar një “biletë” drejt finaleve, ndërsa ballshiotët do të kërkojnë të përfitojnë nga ndalesa e Tiranës në Vlorë për të mbajtur fort vendin e 7-të që i siguron dhe qëndrimin në Superiore.

NDESHJET:

Egnatia - Bylis, stadiumi "Arena Egnatia", ora 17:00.

Partizani - Vllaznia, stadiumi "Arena e Demave", ora 17:00.

Dinamo City - Elbasani, stadiumi "Air Albania", ora 20:00.



Lexoni të gjitha në Bota Sot