Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka marrë vendime të forta disiplinore pas incidenteve në disa ndeshje të kampionatit “Abissnet Superiore”.
Kështu, Komisioni i Disiplinës ka vendosur që 16 tifozë shqiptarë të ndalohen përgjithmonë nga hyrja në stadiumet e futbollit ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF.
Dënimet vijnë pas konstatimeve të Drejtorisë së Policisë Shkodër dhe Tiranë lidhur me dhunën gjatë ndeshjeve Vllaznia – AF Elbasani dhe KF Tirana – AF Elbasani. Vendimi bazohet në shkeljet ligjore të parashikuara nga neni 48 i Ligjit 79/2017 “Për Sportin”.
Në ndeshjen KF Tirana – AF Elbasani, e zhvilluar më 8 mars në stadiumin “Selman Stërmasi”, dhjetë tifozë janë ndaluar të hyjnë më në stadiume për shkak të akteve të dhunës brenda dhe jashtë stadiumit.
Ndërsa për shkak të incidenteve të ndodhura në ndeshjen KF Vllaznia – AF Elbasani, e zhvilluar më 15 shkurt në stadiumin“Loro Boriçi”, u ndaluan 6 tifozë.
FSHF udhëzon të gjithë administratorët e stadiumeve të garantojnë zbatimin e këtij vendimi, ndërsa një kopje është përcjellë edhe Policisë së Shtetit.
Përveç masave ndaj tifozëve, Komisioni i Disiplinës ka rikthyer në detyrë dy trajnerët e Egnatias.