Shqipëria U-16 në fushë për turneun “UEFA Development”

- Bota Sot

Shqipëria U-16 në fushë për turneun “UEFA Development”

Muaji prill sjell një kalendar të ngjeshur aktivitetesh futbollistike në Shqipëri, me katër turne ndërkombëtarë të organizuar nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n. Krahas Kombëtares A të vajzave dhe ekipit U-19, që do të jenë të angazhuara në kompeticione zyrtare europiane, në fushë do të zbresë edhe Shqipëria U-16 për vajza.

Skuadra e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj do të marrë pjesë në turneun “UEFA Development” për këtë grupmoshë, ku do të përballet me Italinë, Norvegjinë dhe Uellsin. Ky turne ka si objektiv kryesor evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, duke u ofruar lojtareve të reja eksperiencë ndërkombëtare.

Për këtë aktivitet, trajnerja Lulaj ka përzgjedhur 20 futbolliste, një pjesë e të cilave luajnë në ekipet e moshave në kampionatin tonë ndërsa pjesa tjetër angazhohen jashtë vendit.

Skuadra do të nisë përgatitjet në Durrës nga data 8 prill, ndërsa të gjitha ndeshjet e turneut do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”. Përballjet e Shqipërisë do të transmetohen live në FSHF Tv.

Sa i përket kalendarit, Shqipëria U-16 do ta nisë rrugëtimin më 11 prill ndaj Uellsit, në orën 15:00. Më 13 prill, vajzat kuqezi do të përballen me Norvegjinë, sërish në orën 15:00, ndërsa turneu do të mbyllet më 16 prill me ndeshjen ndaj Italisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot