Në fillim të misionit të SHBA kundër Iranit, qeveria spanjolle e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të përdorin bazat ushtarake spanjolle për këtë qëllim. Këtë javë u zbulua se edhe hapësira ajrore spanjolle është e mbyllur për avionë amerikanë që marrin pjesë në misionin në Iran. "Jo luftës" është mantra e Pedro Sánchez-it.
Nuk është çështja nëse dikush është pro apo kundër regjimit të Teheranit, e shpjegoi Sánchez-i qëndrimin e tij në fillim të marsit. Sigurisht, në Iran ekziston një regjim që shkel të drejtat e njeriut. Por qeveria e tij është e shqetësuar për pyetjen: A është Spanja pro apo kundër së drejtës ndërkombëtare? Sulmi vetëm sa i përkeqëson problemet ekzistuese.
"Ne nuk do ti ndjekim me servilizëm SHBA"
Presidenti amerikan Donald Trump u zemërua shumë: ai tha se nuk donte të kishte të bënte asgjë me Spanjën. Mundësia e vendosjes së tarifave ndëshkuese u ngrit përsëri. Por Sánchez refuzoi të frikësohej dhe të "ndiqte pas me servilizëm SHBA". Toni ishte vendosur. Dhe kjo ishte plotësisht në përputhje me traditën e partisë së tij socialdemokrate, e cila në Spanjë quhet PSOE.
Analisti politik Pablo Simón deklaron: "marrëdhëniet e kësaj partie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë të ndërlikuara. Siç është rasti me pjesën më të madhe të së majtës evropiane." Është plotësisht absurde të besosh se PSOE mund të ndiqte një politikë nënshtrimi ndaj Shteteve të Bashkuara.
Që lufta në Irak ishte çështje në fushatën zgjedhore
Kishte rezistencë kundër anëtarësimit në NATO në vitet 1980. Dhe në vitin 2004, socialdemokratët i fituan zgjedhjet edhe falë pjesërisht premtimit për tërheqjen e trupave nga Iraku. Qeveria e mëparshme konservatore e kishte çuar Spanjën në të ashtuquajturin "koalicion të të vullnetshmëve".
Që atëherë, ndërhyrja ushtarake përkrah SHBA-së ishte e papëlqyeshme në vend. Dhe as ndërhyrja aktuale e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit nuk është. Sipas një sondazhi të gazetës El País, vetëm 23% e spanjollëve e mbështesin atë.
Kujdes për partnerët e koalicionit
Prandaj, ka të ngjarë që Pedro Sánchez, me qëndrimin e tij "jo luftës", po i përgjigjet një dëshire të popullsisë. Kjo mund të jetë një nga arsyet e politikës së tij. E dyta: partneri i tij i koalicionit, partia e krahut të majtë Sumar. Do të ishte vetëvrasje politike për Sánchez-in të mbështeste SHBA.
Përveç vetë votuesve të PSOE-së, "Sumari nuk do ta pranonte", thotë Pablo Simón. Një rritje e shpenzimeve ushtarake në pesë përqind të produktit të brendshëm bruto - një objektiv i deklaruar i NATO-s - ishte tashmë e papranueshme për këtë koalicion.
Socialdemokratët dhe Sumari formojnë një qeveri minoriteti në Spanjë, fundi i së cilës është dukur i afërt në disa raste. Partia e koalicionit pretendon se është krenare që Spanja kundërshton "luftën imperialiste".
Pedro Sánchez-i e gjen veten në një situatë delikate, jo së fundi për shkak të një skandali korrupsioni brenda partisë së tij. Ai tani e paraqet veten si një lloj "anti-Trump", duke ndjekur kështu pakënaqësitë e elektoratit të tij kryesor.
Në një rast tjetër, qasja e tij politike aktualisht po i sjell dobi ekonomisë. Ndryshe nga Trump-i, qeveria e Sánchez aktualisht po u ofron të paktën 500.000 emigrantëve pa dokumente mundësinë për të rregulluar statusin e tyre. Ekonomia spanjolle po lulëzon, veçanërisht sektorët e ndërtimit dhe turizmit, të cilët kanë nevojë urgjente për punë. Për më tepër, shpenzimet e emigrantëve nxisin konsumin e brendshëm.
Musku për Sanchez-in: "Tradhtar i popullit spanjoll"
Mbeten manjatët e teknologjisë. Ndërsa ata po përpiqen në mënyrë demonstrative të afrohen me Donald Trump-in, dhe anasjelltas, qeveria e Sánchez-it po punon për kufizimin e përdorimit të mediave sociale për nën 16 vjeç-arët. Ai e krahasoi median sociale me një shtet të dështuar, ku ligjet shkelen dhe krimet tolerohen. Miliarderi i teknologjisë Elon Musk e quajti më pas Pedro Sánchez-in një "tiran të fëlliqur dhe tradhtar të popullit spanjoll".
Kritikët e akuzojnë Pedro Sánchez-in se po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet dhe rezultatet e dobëta në zgjedhjet rajonale. Lideri konservator i opozitës spanjolle, Alberto Núñez Feijóo, beson se siguria e vendit nuk duhet të rrezikohet në një përpjekje për të fituar vota në vend.
Shqetësim për sigurinë e Evropës
Brenda Partisë së tij Popullore Spanjolle, me sa duket mbështetet mendimi i shumë krerëve të qeverive dhe diplomatëve evropianë se Evropa aktualisht varet nga pajisjet ushtarake amerikane, mburoja bërthamore dhe inteligjenca.
Analisti politik Pablo Simón pohon se politika e jashtme që ndjek Sanchezi aktualisht po i jep atij shumë përparësi. Shtrohet çështja nëse ajo mund të ishte pak më "diskrete".
Pedro Sánchez-i mund të mendoj: të fyhesh nga Donald Trump dhe Elon Musk është më shumë nder sesa problem. Sánchez-i ka të ngjarë të ketë në mendje edhe vitin e ardhshëm. Atëherë Spanja do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. / DW