Barcelona bëri një hap të rëndësishëm drejt titullit në La Liga, pasi mposhti Atletico Madrid me rezultat 2-1 në “Metropolitano”. Megjithatë, pas ndeshjes vëmendjen e mori reagimi i talentit të ri Lamine Yamal.
Pavarësisht fitores së rëndësishme, Yamal u pa i irrituar pas vërshëllimës përfundimtare. Ai nuk festoi golin vendimtar të Robert Lewandowski në minutën e 87-të, ndërsa kamerat kapën momentin kur bashkëlojtari i tij Pau Cubarsí përpiqej ta qetësonte.
Situata vazhdoi edhe gjatë rrugës drejt zhveshtores, ku Yamal u pa duke bërë gjeste me duar në bisedë me një anëtar të stafit teknik, duke reflektuar zhgënjimin e tij pavarësisht rezultatit pozitiv.
Pas ndeshjes, trajneri Hansi Flick komentoi shkurt situatën, duke e lidhur reagimin e lojtarit me emocionet e larta të ndeshjes.
“Nuk e di saktësisht çfarë ndodhi, por loja ishte plot emocione. Lamine dha gjithçka për ekipin dhe ishte shumë i përfshirë në lojë. Kjo është ajo që ka rëndësi për mua”, u shpreh Flick.
Ai shtoi se skuadra tani fokusohet te sfida e radhës në Ligën e Kampionëve, duke shprehur bindjen se Yamal do të rikthehet me një gjendje më të mirë shpirtërore.