Mbretëria e Bashkuar nuk do të angazhohet në asnjë operacion të ofensivës kundër Iranit, sipas sekretares së Arsimit, Bridget Phillipson.
Kjo deklaratë vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha në rrjete sociale se forcat amerikane do t’i sulmojnë qendrat energjetike dhe urat e Iranit nga e marta, nëse Teherani nuk e rihap rrugën jetike detare, Ngushticën e Hormuzit, raporton gazeta “The Guardian”.
Sekretarja britanike tha se i përket Trumpit që t’i shpjegojë fjalorin që e ka zgjedhur dhe qasjen e tij ndaj konfliktit.
“Nuk është një gjuhë apo një qasje që do ta merrte kjo qeveri. Qasja jonë si Qeveri e Mbretërisë së Bashkuar, qasja që e ka përcaktuar kryeministri Keir Starmer, është që ne nuk do të përfshihemi në veprime sulmuese, nuk do të përfshihemi në veprime sulmuese” – tha ajo.
Shkrimi i Trumpit në rrjete sociale u kritikua dhe u akuzua se po kërcënonte me krime lufte.
Deri më tani, Britania e Madhe është përfshirë në masë të kufizuar në konfliktin e Iranit, në veprime mbrojtëse. Aeroplanë luftarakë të Forcës Ajrore Mbretërore kanë realizuar fluturime të shkurtra për t’i mbrojtur vendet aleate në Gjirin Persik kundër disa sulmeve me dronë.
Kryeministri Starmer gjithashtu ka dhënë leje që Shtetet e Bashkuara të shfrytëzojnë baza britanike për të kryer sulme kundër qendrave raketore iraniane që i rrezikojnë aleatët në rajon ose transportin në Ngushticën e Hormuzit.