Ish-trajneri i Carlos Alcaraz, Juan Carlos Ferrero, ka folur me superlativa për tenistin spanjoll, duke theksuar se ai ka potencialin për të hyrë në histori si më i miri i të gjitha kohërave.
Në një intervistë për “Marca”, Ferrero ka pranuar se nuk e ka ndjekur plotësisht Australian Open, por ka parë disa nga momentet kyçe të turneut.
“Nuk e kam ndjekur shumë Australian Open. Kam parë disa detaje dhe rezultate. Nga ndeshjet e Carlos kam parë atë ndaj Tommy Paul, pak ndaj Zverev dhe disa momente nga finalja. Nuk kam parë ndeshje të plota”, është shprehur ai.
Ferrero ka treguar se ka përgëzuar ekipin e Alcaraz pas suksesit historik.
“I përgëzova të gjithë kur arritën finalen dhe më pas kur shkruan historinë. Ishte një objektiv që Carlos e kishte vendosur prej vitesh. Është më i riu që e ka arritur dhe kjo më bën krenar. Kam dhënë edhe unë një kontribut të vogël në këtë rrugëtim”, ka shtuar Ferrero.
Ai beson se çelësi për të arritur majat absolute mbetet motivimi.
“Carlos mund të bëhet më i miri i të gjitha kohërave. Ajo që duhet të bëjë është të ruajë të njëjtin motivim, edhe pasi të arrijë objektivat. Besoj se do ta bëjë këtë, sepse e di që përpara ka gjithmonë kundërshtarë shumë të fortë”, ka përfunduar ai.