Ndeshja e parë çerekfinale e Champions League mes Real Madridit dhe Bayern Munich po nxehet.
Pas kritikave të Matthäus ndaj Vinicius, Markus Babbel, ish-lojtar i Bayernit dhe Liverpool-it, nuk ngurroi të sulmonte skuadrën galaktike spanjolle.
“Real Madridi është klubi më antipatik në Europë dhe do të ishte fantastike nëse Bayerni do të kalonte në raundin tjetër”, – tha Babbel për “Sky90”.
Sipas tij, “sjellja e klubit merengues në vitet e fundit është jashtëzakonisht anti-sportive, duket se mendojnë se janë më të mirë se të tjerët dhe kjo më irriton shumë”.
Babbel përmendi edhe bojkotin e Real Madridit ndaj gala-së së “Topit të Artë” kur Vinicius nuk e fitoi çmimin: “Nëse një nga lojtarët tanë nuk fiton, ne nuk bojkotojmë eventin. Për mua, kjo ishte mungesë respekti dhe për këtë klubi madrilen ka humbur respektin tim”.
Ish-mesfushori shtoi kritikën edhe për Vinicius: “Ka lojtarë që nuk më pëlqejnë. Vinicius ka talent, por kur e shoh duke u rrëzuar dhe rrotulluar 14 herë çdo lëvizje, thjesht nuk më pëlqen”.