Hiseini para udhëtimit në Lituani

- Bota Sot

Hiseini para udhëtimit në Lituani

Maqedonia në futsal, pas mini-përgatitjeve në Shkup, nesër do të udhëtojë për në Lituani, ku nga 9 deri më 12 prill, do të jetë pjesë e raundit të parë të kualifikimeve për Kupën e Botës.

Përzgjedhësi i Maqedonisë në futsall Gazmend Hiseini do të ketë në dispozicion 15 lojtarë të cilët janë plotësisht të përgatitur dhe po hyjnë në betejë për të vazhduar garën për pjesëmarrje në Kupën e Botës.

“Do të zhvillojmë dy seanca stërvitore në Shkup para se të nisemi për në Lituani. Është mirë që të gjithë lojtarët e ftuar u paraqitën dhe se mund të mbështetem tek të gjithë ata që ishin planifikuar të luanin në këtë cikël kualifikues. Jam i kënaqur me formën e lojtarëve dhe pres që të plasohemi në dy pozitat e para që do të na çojnë në fazën tjetër”, tha trajneri Hiseini.

Krahas vendit organizatorë, kundërshtarët e tjerë janë edhe Turqia e Bullgaria.

“Në letër, Lituania ka statusin e favoritit. Është një ekip që ishte pjesë e Kampionatit të fundit Evropian, gjë që flet shumë për cilësinë e konkurrentit tonë të drejtpërdrejtë për vendin e parë.

Pavarësisht këtyre të dhënave, ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi para kohe dhe do të përpiqemi të shënojmë një fitore në të tre ndeshjet dhe të fitojmë vendin e parë në grup”, vazhdoi trajneri kryesor.

Maqedonia ka statusin e favoritit në duelet me Bullgarinë dhe Turqinë, por kjo duhet të dëshmohet në fushë.

“Kohët e fundit, është e vështirë të thuhet se disa kundërshtarë janë të jashtëm dhe se fitorja mund të arrihet pa probleme të mëdha. Cilësia e të gjitha ekipeve kombëtare në Evropë është në rritje.

Megjithatë, besoj se aktualisht jemi më të mirë se Turqia dhe Bullgaria dhe pres që pas dy fitoreve në fillim të raundit të fundit në duelin kundër Lituanisë, të vendosim për pozicionin e parë. Kemi një ditë pushim përpara asaj ndeshjeje, që do të thotë se do të jemi maksimalisht të përgatitur kur të përballemi me organizatorin e turneut”, përfundoi Huseini.

Kundërshtari i parë në raundin e nëntë është Bullgaria, dhe sfida do të fillojë në orën 16:30. Të nesërmen, në të njëjtën kohë Maqedonia përballet me ekipin kombëtar të Turqisë, ndërsa më 12 prill, Maqedonia do të takohet me Lituaninë. Ndeshja fillon në orën 17:30.



Lexoni të gjitha në Bota Sot