Kriza në Lindjen e Mesme ka sjellë pasojat e saj. Karburanti për avionë (kerozina) po fillon të mungojë dhe është rritur numri i aeroporteve italiane ku ka mungesë të tij, shgkruan rainews.it.
Pa furnizime, rritet edhe pasiguria për udhëtimet e verës që po afrohet.
Pas alarmit të parë të së shtunës në katër aeroporte, dje erdhi një njoftim i ri nga NOTAM (buletinet aeronautike) për aeroportin e Brindisit: kompanitë nuk do të mund të furnizohen aty dhe do të duhet të llogarisin sasinë e karburantit të mjaftueshme që nga aeroporti i mëparshëm për fluturimet e mëtejshme.
Sasi “të kufizuara”
Janë të disponueshme vetëm “sasi të kufizuara”, thuhet në dokument, dhe ato do të jepen vetëm për fluturime shtetërore, emergjente dhe spitalore.
Kufizime të karburantit parashikohen edhe për Reggio Calabria dhe Pescara, por ky i fundit më vonë deklaroi: “Nuk ka kufizime për fluturimet për shkak të mungesës së karburantit”.
Aeroportet italiane pa karburant
Ditët e fundit, operatori Air BP Italia (pjesë e një gjigandi britanik të karburanteve) kishte njoftuar shpërndarje të kufizuar për fluturimet në aeroportet e Milano Linate, Venecia, Treviso dhe Bolonja.
Për disa, këto janë efektet e para të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, edhe pse ENAC kishte sqaruar se kufizimet lidhen me trafikun më të lartë që zakonisht ndodh gjatë festave të Pashkëve.
Evropa importon 30% të karburantit
Duhet kujtuar se Evropa importon rreth 30% të karburantit për avionë dhe disa kompani si Ryanair dhe Lufthansa kanë paralajmëruar për pasojat nëse konflikti dhe bllokimi i naftës në Gjirin Persik vazhdon deri në maj ose qershor.
Probleme tashmë janë regjistruar edhe në disa aeroporte në Azi, ku shkon pjesa më e madhe e naftës që kalon nga Hormuzi.
Vera në rrezik
Pasiguritë për sezonin veror janë të shumta. Përveç destinacioneve të rrezikshme për shkak të konflikteve (Ukraina, Rusia, Lindja e Mesme, Sudani, Kongo, Haiti, Jemeni) ose krizave të rënda si në Kubë, shtohen edhe dyshimet për disponueshmërinë dhe koston e karburantit, transmeton ATSh.
Sipas Assoviaggi (Confesercenti), turizmi i organizuar po përballet me një “dënim të dyfishtë”: çmime të larta të karburantit dhe një dollar të fortë ndaj euros, që rrisin kostot e transportit ajror dhe, si pasojë, çmimet e paketave turistike.