Anëtari i bordit për sportin te Bayern Munih, Max Eberl, ka komentuar përballjen e madhe ndaj Real Madrid në çerekfinalet e UEFA Champions League, duke shprehur entuziazëm, por edhe kujdes maksimal përballë madrilenëve.
Duke folur për mediat, Eberl theksoi se pavarësisht disa luhatjeve të Realit gjatë sezonit, skuadra spanjolle mbetet jashtëzakonisht e rrezikshme:
“Edhe pse gjërat nuk kanë qenë perfekte për Realin për një periudhë këtë sezon, përballë nesh vjen një ‘bishë’ që di saktësisht kur të godasë. Ne duhet të jemi gati pikërisht për këtë,” u shpreh ai.
Drejtuesi bavarez vlerësoi gjithashtu përvojën dhe historinë e pasur të Realit në Champions:
“Ajo që kemi arritur këtë sezon na jep një ndjenjë pozitive, por Real Madrid nuk është fitues rekord i Champions League pa arsye. Ata kanë një magji të veçantë në momente të tilla.”
Megjithatë, Eberl beson se përballja është e hapur: “Ne kemi besim të mjaftueshëm për të thënë se është një ndeshje 50-50.
Këtë sezon kemi treguar ndaj kundërshtarëve të mëdhenj se i qëndrojmë besnikë lojës sonë. E dimë cilësinë e Realit, por mbi të gjitha njohim edhe forcën tonë.”