E ardhmja e Sylvinho në krye të kombëtares shqiptare mbetet e paqartë, ndërsa kontrata e tij me Federatwn Shqiptare tw Futbollit skadon në korrik 2026.
Rinovimi i fundit, me kohëzgjatje gjashtë mujore, ishte i lidhur me objektivin e kualifikimit në Kupën e Botës 2026, që nuk u arrit nga kuqezinjtë.
Sipas burimeve pranë institucionit, gjithnjë e më shumë po flitet për një ndarje mes palëve, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Ndërkohë, interesi për trajnerin brazilian nuk mungon, sidomos nga vendlindja e tij, ku disa klube po monitorojnë situatën.
Në këtë kuadër, vëmendja është përqendruar te Corinthians, ekip ku Sylvinho ka punuar më parë. Lëvizjet e fundit të klubit brazilian kanë ngritur dyshime për një rikthim të mundshëm të tij në stol.
Corinthians shkarkoi së fundmi ish-trajnerin e Brazilit, Dorival Júnior, dhe emëroi në vend të tij Fernando Diniz. Megjithatë, ajo që bie në sy është kontrata e shkurtër e Diniz, vetëm deri në fund të vitit 2026, një marrëveshje e pazakontë në futbollin profesionist, që lë hapur mundësinë për ndryshime të tjera në të ardhmen.
Ky detaj ka shtuar spekulimet se klubi mund të ketë një “plan B”, ku emri i Sylvinhos përmendet si një alternativë serioze. Nga ana tjetër, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka të drejtën për të vendosur mbi trajnerin e kombëtares, vijon të mbajë një qëndrim pritës.
Megjithatë, pas afro tre vitesh në drejtimin e Shqipërisë, gjithçka lë të kuptohet se cikli i Sylvinhos mund të jetë drejt fundit. Edhe mosha e trajnerit (51 vjeç) dhe dëshira për të qenë pjesë e përditshme e një klubi mund të ndikojnë në vendimin e tij të ardhshëm.