Mesfushori Arbin Zejnullai paralajmëron duelin e xhiros së 26-të të LPFMV të mërkurën ndaj Rabotniçkit në Shkup, duke kërkuar reagim të menjëhershëm pas ndeshjes së fundit.
Përballja e xhiros së 26-të e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në terrenin e Kompleksit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut në Shkup me fillim në orën 15:30.
…reagimi pas Pelisterit…
Arbin Zejnullai: “Të them të drejtën, ajo ndeshje na dëshpëroi të gjithëve, si ne ashtu edhe tifozët, pasi nuk u desh t’i lënim ato pikë. Por tani duhet të jemi vetëkritikë dhe të marrim përgjegjësi. E mira e kësaj situate është se kemi ndeshje sërish pas tre ditëve, çka na jep mundësinë të përmirësojmë gabimin që bëmë dhe të kthehemi te fitorja.”
…lufta për titull…
Arbin Zejnullai: “Kanë mbetur edhe tetë ndeshje dhe ne jemi plotësisht në garë. Humbjen e fundit duhet ta lëmë pas dhe të fokusohemi te e ardhmja.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo ndeshje deri në fund për ne është si një ‘mini-finale’. Nuk kemi më vend për të humbur pikë, prandaj motivimi ynë duhet të jetë maksimal, njësoj si në një finale të vërtetë.”
…gatishmëria e skuadrës…
Arbin Zejnullai: “Skuadra është e gatshme. Kemi treguar edhe më parë, sidomos në fillimin e fazës së dytë, se dimë t’i kalojmë pengesat dhe ndeshjet super të vështira.
Kemi forcë dhe cilësi brenda grupit. Nëse motivimi do të jetë akoma më i lartë se në ndeshjet e kaluara, jam i bindur se në fund do ta arrijmë objektivin tonë dhe ky titull do t’i takojë Shkëndijës.”
…kundërshtari (Rabotniçki)…
Arbin Zejnullai: “Nuk ka ndeshje të lehta në futbollin modern. Rabotniçki vjen nga një seri e mirë, por kush e do fitoren më shumë dhe kush mundohet më tepër në fushë, ai e merr rezultatin. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të përqendruar maksimalisht.
Nëse japim 100%-shin tonë, duke pasur parasysh cilësinë që kemi, Shkëndija nuk do të ketë probleme për ta fituar ndeshjen”.