Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka komentuar periudhën e vështirë që sulmuesi Hugo Ekitike kaloi në klubin parisien, ndërsa tani përgatitet të përballet më ish- ekipin e tij me fanellën e Liverpool.
Ekitike iu bashkua PSG-së në vitin 2022 si një talent premtues, por nuk arriti të tregojë plotësisht vlerat e tij, duke shënuar vetëm katër gola në 33 ndeshje. Më pas u huazua dhe u transferua në Eintracht Frankfurt, ku rilindi karrierën, përpara se të transferohej te Liverpooli verën e kaluar. Në Angli, ai ka shkëlqyer, duke realizuar 17 gola në 43 paraqitje këtë sezon.
Luis Enrique theksoi se vështirësitë e tij në Paris lidhen kryesisht me moshën dhe mungesën e përvojës në atë kohë. Ai deklaroi se sulmuesi ka bërë progres të madh dhe tani është bërë një lojtar ndërkombëtar shumë më i kompletuar, shkruan goal.com.
“Normalisht, nuk flas për lojtarë që nuk janë te PSG-ja. Më kujtohet koha e tij këtu. Ai luajti shumë mirë në Gjermani dhe tani, aktualisht, te Liverpooli. Ai tani është një lojtar ndërkombëtar dhe mendoj se ka përparuar shumë. Është normale. Ai ishte shumë i ri kur ishte këtu dhe është përmirësuar shumë që atëherë. Por nuk është momenti për të folur për lojtarët e Liverpoolit” – tha Enrique.
Ndërkohë ndeshja mes PSG dhe Liverpool në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve do të shënojë rikthimin e Ekitike në Paris, ku ai synon të tregojë formën e tij të shkëlqyer dhe të ndihmojë ekipin anglez në një sfidë shumë të vështirë ndaj kampionëve në fuqi.
Ndeshje mes PSG dhe Liverpool do të zhvillohet sonte më tetë prill, me fillim nga ora 21:00.