Gerrard i impresionuar nga Olise

- Bota Sot

Gerrard i impresionuar nga Olise

Një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë në Santiago Bernabeu ka shërbyer si skena perfekte për shpërthimin përfundimtar të talentit të Michael Olise.

Anësori francez ishte ndër protagonistët kryesorë në fitoren e Bayern Munih ndaj Real Madrid, duke dhuruar një paraqitje që tërhoqi vëmendjen e specialistëve dhe ikonave të futbollit europian.

Mes zërave më të rëndësishëm ishte ai i legjendës angleze Steven Gerrard, i cili në analizën e tij për TNT Sports nuk kurseu superlativat.

“Kur përballesh me një sulmues krahu, zakonisht përpiqesh ta vendosësh në anën e dobët. Problemi me të është se nuk e ka një të tillë: ai mund të shkojë në të dyja drejtimet. Këmba e tij e djathtë është po aq e fortë sa e majta.”

Ish-kapiteni i Liverpool shkoi edhe më tej, duke lënë të kuptohet se do ta dëshironte në Premier League:

“Sigurisht që do ta sillja te Liverpooli. Por pyetja është: pse duhet të largohet nga Bayerni?”, u shpreh ai.

Dhe përgjigjja duket e qartë. Me një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, Olise është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të repartit ofensiv të bavarezëve, duke formuar një treshe të frikshme me Harry Kane dhe Luis Díaz.

16 gola dhe 25 asistime gjatë sezonit, shifra që dëshmojnë për një vazhdimësi dhe pjekuri të rrallë për një lojtar të ri. Olise tashmë nuk është më një premtim, ai është një realitet i futbollit europian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot