Një mbrëmje e madhe pritet në Spotify Camp Nou, ku Barcelona do të përballet me Atlético Madrid në një sfidë që premton spektakël si në fushë, ashtu edhe në tribuna.
Në kampin katalanas mbizotëron optimizmi, teksa objektivi është të arrihet shifra prej rreth 60 mijë spektatorësh, duke iu afruar rekordit të fundit të regjistruar në “El Clásico”-n e femrave.
Që nga rihapja e pjesshme e stadiumit, prania e tifozëve ka qenë mbresëlënëse, me mbi 56 mijë të pranishëm në mënyrë të vazhdueshme, por këtë herë synohet një tjetër nivel.
Një shtysë të madhe në këtë drejtim ka dhënë edhe trajneri Hansi Flick, i cili ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së tifozëve: “Lidhja me ta është fantastike. Kemi nevojë për ta”.
Një deklaratë që pasqyron harmoninë e rikthyer mes skuadrës dhe publikut, në një moment ku atmosfera mund të bëjë diferencën.
Edhe pse nuk është planifikuar ndonjë koreografi e veçantë, klubi do të shpërndajë flamuj për tifozët, duke synuar të krijojë një panoramë mbresëlënëse dhe një mbështetje të fuqishme gjatë gjithë ndeshjes.
Megjithatë, përballja është klasifikuar si me rrezik të lartë.
Për këtë arsye, janë marrë masa të rrepta sigurie, ndërsa biletat për tifozët e skuadrës mike janë kufizuar vetëm në sektorin e dedikuar për ta. Pritet që rreth 2.500 mbështetës të Atlético Madrid të jenë të pranishëm në stadium.