Pas një periudhe të gjatë, sonte u takuan gjenerata e sakrificës (vitet e 90-ta) e klubit të futbollit Ferizaj.
Dikur në vijën e parë të frontit sportiv, sot në profesione të ndryshme, ish-futbollistët që dhanë shumë për futbollin dhe sportin, Bujar Asllani, Bujar Orllati (ish portier), Xhelal Koxha dhe Ilir Orllati, kujtuan vitet e tyre të sakrificës.
Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për kohën e gjeneratës së sakrificës dhe për periudhën e pasluftës, duke kujtuar sfidat e sportit në ato rrethana.
Katërshja kujtoi me krenari vitet kur, përmes futbollit, i rezistuan regjimit serb, duke mbajtur gjallë shpirtin sportiv dhe kombëtar.
Të gjithë ishin të një mendimi se futbolli dhe sporti janë ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës, gjë që po dëshmohet fuqishëm edhe sot.
Në bisedë nuk mungoi as diskutimi për finalen e play-off-it për një vend në Kampionatin Botëror mes Kosovës dhe Turqisë, ku Dardanët ishin të pafat duke pësuar humbje me rezultat 1:0.
Po ashtu, u fol edhe për FC Ferizajn dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë.