Vllaznia i “shpall luftë” Hygerta Sakos: Do ndjekim rrugë ligjore

- Bota Sot

Vllaznia i “shpall luftë” Hygerta Sakos: Do ndjekim rrugë ligjore

Klubi i Vllaznisë ka mbështetur publikisht vendimin e trajnerit Edi Martini, pasi ky i fundit kishte braktisur prononcimin për RTSH në shenjë proteste ndaj moderatores Hygerta Sako.

Gjithçka nisi pas batutave mes të dyve në fundjavë, pas të cilave Sako etiketoi si “i paedukatë” trajnerin shkodran.

Pas reagimit të Martinit sot, Vllaznia ka dalë me deklaratë publike, duke bërë të ditur se do të ndjekë rrugët ligjore për këtë çështje.

REAGIMI I VLLAZNISË

Klubi i Futbollit Vllaznia dënon me forcë deklaratat e papranueshme dhe gjuhën fyese të përdorur nga moderatorja e RTSH, Hygerta Sako, në emisionin “Supergol”, ndaj trajnerit të ekipit tonë, Edi Martini.

Etiketimi i trajnerit tonë si “i paedukatë”, i bërë publikisht dhe në mungesë të tij në studio, përbën një mungesë të theksuar profesionalizmi, etike dhe respekti minimal ndaj një figure të rëndësishme të futbollit shqiptar.

Në vijim të kësaj situate, dhe për shkak të mungesës së një kërkim faljeje nga ana e znj. Sako, trajneri ynë ka zgjedhur të ndërpresë dhe të braktisë intervistën, si një reagim i drejtë ndaj këtij trajtimi të papranueshëm.

Për më tepër, vlerësojmë se kjo qasje nuk është vetëm fyese, por edhe e njëanshme në gjykim, duke kaluar kufijtë e analizës profesionale dhe duke rrëshqitur drejt shpifjes dhe denigrimit publik.

Ky nuk është një rast i izoluar. Moderatores në fjalë i janë evidentuar edhe më herët sjellje të papërshtatshme në raport me aktorë të botës së futbollit, përfshirë gjuhë fyese, elementë bullizimi dhe deklarata me tone diskriminuese ndaj futbollistëve të huaj.

KF Vllaznia është e vendosur të mbrojë dinjitetin e trajnerit, ekipit dhe gjithë komunitetit tonë sportiv. Për këtë arsye:

Dënojmë publikisht këtë sjellje të papranueshme

Kërkojmë reflektim dhe përgjegjësi institucionale nga RTSH

Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale, duke depozituar një ankesë pranë Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe organeve përkatëse

Ne besojmë se media publike, e financuar nga taksat e qytetarëve shqiptarë, duhet të jetë një shembull i standardeve të larta profesionale, etikës dhe respektit.

Moderatorë dhe analistë që përdorin gjuhë fyese, denigruese, të njëanshme apo që shpifin, nuk mund dhe nuk duhet të kenë vend në drejtimin e emisioneve publike, pasi dëmtojnë jo vetëm individët, por edhe vetë besueshmërinë e medias dhe sportit shqiptar.

KF Vllaznia do të vazhdojë të qëndrojë fort në mbrojtje të vlerave të sportit, respektit dhe dinjitetit njerëzor.



Lexoni të gjitha në Bota Sot