Organizata “Shqiptaria” bën të ditur se është ndarë nga jeta atdhetari i devotshëm, veterani invalid i Luftës së UÇK-së dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Shefki Sejdiu.
Sipas njoftimit, Shefki Sejdiu vdiq më 8 prill 2025, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte një nga themeluesit e Organizatës “Shqiptaria” dhe një figurë e njohur e angazhimit kombëtar që nga vitet ’90.
“Shqiptaria” e cilëson ndarjen e tij si një humbje të madhe për kombin shqiptar, duke e përshkruar Sejdiun si simbol të qëndresës, sakrificës dhe përkushtimit të pakushtëzuar ndaj atdheut. Gjatë jetës së tij, ai ishte aktiv si në periudhën e luftës, ashtu edhe në vitet sfiduese pas saj, gjithmonë në shërbim të interesit kombëtar.
Në reagimin e saj, organizata thekson se veprimtaria e tij ishte më shumë se një kontribut – ishte një mision jetësor dhe një shembull i rrallë i përkushtimit të palëkundur ndaj idealit kombëtar.
Organizata “Shqiptaria” ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sejdiu, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
“Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në ndërgjegjen kombëtare”, thuhet në fund të njoftimit.