Trajneri i Liverpool, Arne Slot, mbetet optimist për shanset e skuadrës së tij për të përmbysur disavantazhin ndaj PSG në çerekfinalet e UEFA Champions League.
“The Reds” u mposhtën 2-0 në ndeshjen e parë në Paris, por sfida e kthimit në Anfield pritet të jetë një tjetër histori, me trajnerin holandez që beson te ndikimi i madh i stadiumit dhe tifozëve.
“Duhet t’i referohemi historisë së këtij klubi dhe ndikimit që mund të ketë Anfield në një performancë të tillë. Kjo na jep besim”, u shpreh Slot, duke lënë të kuptohet se atmosfera në shtëpi mund të jetë çelësi për përmbysjen.
Ai pranoi gjithashtu epërsinë e kundërshtarit në ndeshjen e parë: “PSG ishte padyshim skuadra më e mirë dhe mund të kishte shënuar më shumë se dy gola. Por pozitive ishte se lojtarët tanë treguan shpirt luftarak dhe nuk u dorëzuan”.
Tekniku i Liverpool theksoi edhe rëndësinë e disiplinës në mbrojtje përballë një skuadre kaq cilësore: “Pothuajse në çdo rast që ata gjuanin, kishim shumë lojtarë pas topit për të mbrojtur zonën. Ishte e nevojshme, sepse nëse nuk rikthehesh shpejt, lojtarë të këtij niveli mund të të ndëshkojnë rëndë”.
Në prag të sfidës vendimtare, Slot kërkon një nivel më të lartë nga skuadra e tij dhe mbështetjen maksimale të tifozëve: “Në ndeshjen e kthimit duhet të paraqitemi shumë më mirë dhe kemi nevojë për tifozët tanë.
Duhet të krijojmë një atmosferë që na ndihmon të ngrihemi në një nivel më të lartë se ai që treguam në Paris”.