Çerekfinalet e Conference League sjellin edhe një derbi shqiptar në turneun e tretë për nga rëndësia në futbollin europian për klube.
Sfida më Rayo Vallecano dhe AEK Athinë vendos përballë Ivan Balliun dhe Thomas Strakoshën.
Mbrojtësi kuqezi ka humbur shumë në hierarkinë e skuadrës spanjolle në këtë sezon, ku ndrsyhe nga ata të shkuarit, i ka patur minutat me pikatore.
Krejt i ndryshëm është diskutimi për portierin.
Ashtu si në kombëtare, edhe te skuadra greke, Strakosha është titullar i padiskutueshëm.
Jo vetëm kaq, pasi “gardiani” shqiptar është një nga pikat më të forta të AEK që kryeson renditjen në kampionatin helen dhe ka në dorë titullin kampion.
Edhe në këtë sfidë të rëndësishme europiane, Strakosha do të jetë në fushë nga minuta e parë.
Ka pak mundësi që kjo të ndodhe me Ivan Balliun, që do ta nisë ndeshjen nga pankina, me shpresë për të marrë minuta gjatë lojës.
Sa i përket parashikimeve, Rayo shihet si favorit në këtë sfidë, por në llogaritë e përgjithshme për kualifikimin, AEK ka më shumë shanse. I rëndësishëm është rezultati i kësaj ndeshjeje, pasi atë të kthimit AEK do ta luajë në Athinë.