Karim Benzema ishte protagonisti absolut në fitoren bindëse të Al-Hilal, që mposhti 6-0 Al-Kholood në Ligën Saudite të futbollit.
Fituesi i Topit të Artë 2022 thelloi rezultatin që në minutën e 9-të, duke përfituar nga një gabim i mbrojtësit kundërshtar dhe duke shënuar për 2-0.
Pas gjysmë ore lojë, francezi humbi një penallti, por në zhvillimin e saj shënoi me kokë.
Benzema kompletoi tregolëshin me një vole spektakolare me të majtën në fund të pjesës së parë.
Ky ishte “hat-trick”-u i 20-të në karrierën e sulmuesit francez dhe i shtati që nga transferimi i tij në Arabinë Saudite tre sezone më parë. Ish-sulmuesi i Real Madrid ngjitet kështu në kuotën e 16 golave sezonalë, por i distancuar me 11 rrjeta nga kryesuesi i garës për Këpucën e Artë në Arabinë Saudite.
Në pjesën e dytë, Benzema u kthye në asistues duke shërbyer për brazilianin Leonardo në minutën e 76-të dhe duke vulosur fitoren e skuadrës së teknikut Simone Inzaghi. Me këtë fitore të thellë,
Al-Hilal ngushton diferencën në vetëm dy pikë me kryesuesit, Al-Nassr, edhe pse ka luajtur një ndeshje më shumë.