Federata Shqiptare e Futbollit njofton përfundimin e bashkëpunimit me Drejtorin Teknik, Fulvio Pea, i cili ka vendosur të largohet nga detyra për arsye dhe obligime familjare.
Gjatë tre viteve e gjysmë në këtë rol, Pea ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit teknik, në forcimin e programeve të edukimit të trajnerëve dhe në avancimin e projekteve që lidhen me rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar në të gjitha nivelet.
Në një prononcim për fshf.org, Fulvio Pea falëndron të gjithë aktorët e futbollit që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij në këtë detyrë, me në krye presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
“E përmbyll pas 3 vitesh rrugëtimin tim në federatë. Ka qenë një rrugëtim intensiv, plot angazhime, por njëkohësisht shumë i këndshëm.
Fatkeqësisht, ndonjëherë duhet të bësh zgjedhje të vështira, si në këtë rast. Kam vendosur të lë mënjanë angazhimet profesionale për t’i dhënë më shumë hapësirë angazhimeve familjare.
Pas 7 vitesh larg Italisë, pas shumë ditë reflektimesh, mendova se ka ardhur momenti të rikthehem dhe t’i afrohem pak më shumë familjes.
Megjithatë, mbetet një eksperiencë shumë e bukur, edhe falë gjithçkaje që kam përjetuar në Shqipëri. Që nga dita ime e parë dhe gjatë gjithë qëndrimit këtu, falë karakteristikës së veçantë të shqiptarëve, që janë shumë mikpritës.
Falënderoj gjithashtu presidentët e klubeve të kampionateve Abissnet Superiore dhe Kategorisë së Parë, me të cilët kam punuar dhe kam ndarë disa projekte. Falënderoj stafin e federatës, që ka qenë gjithmonë shumë i gatshëm dhe mirëkuptues.
Falënderoj edhe të gjithë ata që kanë punuar ngushtë me mua, të gjithë bashkëpunëtorët e Drejtorisë Teknike, të cilët më kanë mbështetur në çdo moment.
Një falënderim i veçantë shkon për Presidentin tonë, sepse për mua ka qenë një udhërrëfyes, një “Maestro” i vërtetë. Sugjerimet, këshillat dhe idetë e tij më kanë ndriçuar rrugën e pasuruar dhe kjo do të më ndihmojnë të përballem me sfidat e ardhshme profesionale me më shumë vendosmëri, potencial dhe guxim.
Faleminderit të gjithëve, mirupafshim dhe gjithmonë Forca Shqipëria!”, – tha Pea.
Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson profesionalizmin, përkushtimin dhe eksperiencën e tij, si dhe bashkëpunimin korrekt me të gjitha strukturat e institucionit gjatë kësaj periudhe.
Njëkohësisht, Federata i uron Fulvio Peas suksese të mëtejshme në sfidat e ardhshme, duke e falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij në shërbim të zhvillimit të futbollit shqiptar.