Ish basketbollisti i njohur zgjidhet presidenti i klubit të futbollit Feronikeli 74

- Bota Sot

Ish basketbollisti i njohur zgjidhet presidenti i klubit të futbollit Feronikeli 74

Dikur shquhej në fushën e basketbollit, Alban Veseli, por sot është në krye të klubit të futbollit Feronikeli 74.
Shumë vite pjesë e Sigal Prishtinës e Pejës, tani jo në basketboll por është zgjedhur president i klubit të futbollit Feronikeli 74.

“Klubi Futbollistik FC Feronikeli 74 njofton opinionin publik se sot është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i klubit, ku u diskutua dhe u vendos për zgjedhjen e kryesisë së re.

Në këtë kuvend, të gjithë anëtarët unanimisht zgjodhën z. Alban Veseli në postin e Presidentit të klubit, Lapidar Lladrovci Drejtor Sportiv si dhe Argjend Bardhi Menaxher.

Me këtë rast, Presidenti i ri i klubit, z. Veseli, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për besimin e dhënë nga anëtarët e kuvendit dhe bordit drejtues”, njofton faqja e klubit.

“Jam i privilegjuar të menaxhoj një klub siç është FC Feronikeli 74. Po ashtu, jam i nderuar që në klub gjeta bashkëpunëtorë me energji të jashtëzakonshme për angazhim dhe punë.

Së bashku do të punojmë fuqishëm që FC Feronikeli 74 në vitet e ardhshme të jetë ndër klubet më të organizuara dhe kështu ta bëjmë krenar qytetin e Drenasit, e pse jo edhe gjithë Kosovën.

Fokusi ynë primar do të jetë gjithashtu zhvillimi i akademisë, duke krijuar kushte sa më të mira për talentët e rinj që do të vijnë.”

FC Feronikeli 74 i uron suksese Presidentit Veseli në këtë detyrë të rëndësishme dhe shpreh besimin se nën udhëheqjen e tij, klubi do të arrijë suksese të reja.

Feronikeli renditet në vend  të tretë me 57 pikë, ka dy më pak se lideri Dinamo në Ligën Parë të Kosovës pas javës së 27-të.



Lexoni të gjitha në Bota Sot