Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, është në negociata për kontratën e re me klubin londinez, por raportohet se ai kërkon garanci të qarta para se të hedhë firmën.
Me “Topçinjtë” që kryesojnë Premier League me shtatë pikë epërsi ndaj ndjekësve, Arteta ndodhet në një pozitë të favorshme negociuese.
Sipas “BBC Sport”, negociatat mes palëve janë duke avancuar në drejtimin e duhur, ndërsa kontrata aktuale e trajnerit spanjoll ka më pak se 18 muaj deri në përfundim.
Arteta aktualisht përfiton rreth 10 milionë funte në vit, ndërsa paga e tij pritet të rritet, në përputhje me suksesin e skuadrës këtë sezon.
Megjithatë, kërkesa kryesore e teknikut bask lidhet me mbështetjen në afatin kalimtar të verës. Ai dëshiron siguri se bordi do të vazhdojë të investojë në përforcime, pasi gjatë verës së kaluar klubi shpenzoi rreth 250 milionë funte për afrime të reja. Sipas tij, skuadra ende ka nevojë për përforcime për të qëndruar konkurruese në nivelet më të larta.
Pavarësisht formës së mirë në kampionat, Arsenali ka pësuar goditje në garat e kupave, duke humbur finalen e Carabao Cup dhe duke u eliminuar në çerekfinale të FA Cup nga Southampton.
Bisedimet pritet të vazhdojnë në javët në vijim, me Artetën që synon të sigurojë kushtet e duhura për të vazhduar projektin e tij afatgjatë në “Emirates”.