Duka: Rruga juaj sapo ka filluar, FSHF ju mbështet

- Bota Sot

Duka: Rruga juaj sapo ka filluar, FSHF ju mbështet

Akademia e gjashtë e arbitrimit u përmbyll me sukses me ceremoninë e diplomimit në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Në këtë edicion u diplomuan 70 arbitra të rinj, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme ishin vajza.

Ky rezultoi edicioni më i suksesshëm i akademisë deri më tani, pasi pati pjesëmarrjen më të lartë të të rinjve dhe të rejave që kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e arbitrimit. Në ceremoninë e diplomimit ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili përgëzoi arbitrat e rinj dhe i inkurajoi të ndjekin me përkushtim rrugën e arbitrimit.

Presidenti Duka vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në akademinë e arbitrimit, duke e cilësuar këtë edicion si ndër më të suksesshmit dhe duke theksuar rëndësinë e arbitrit në futboll. Kreu i futbollit shqiptar inkurajoi të rinjtë të ndjekin këtë profesion, duke premtuar mbështetje nga FSHF dhe duke u uruar suksese në karrierën e tyre.

“Është kënaqësi për mua fakti që shoh një sallë me djem dhe vajza të rinj dhe të reja për një nga komponentët më të rëndësishëm të futbollit që është arbitrimi. Ky është edicioni i gjashtë i akademisë së arbitrimit dhe të paktën për nga numri, se nga kualiteti nuk e di ta them, mund ta thonë lektorët, por nga numri është më i suksesshmi, edhe nga kualiteti i paraqitjes duket që është më i suksesshmi, por shpresoj dhe uroj shumë që të ketë edhe për vazhdimin e këtij profesioni për ju.

Unë besoj se fillimi është i mbarë për ju dhe shpresoj shumë që do ta ndiqni këtë pasion të arbitrimit për t’u bërë arbitra profesionistë, apo të niveleve të larta. Futbolli është lojë e bukur, lojë e bukur për ata që e luajnë, lojë e bukur për ata që e shikojnë në stadium apo në TV, por realisht pa ju bëhet i vështirë, por ndonjëherë edhe me ju bëhet i vështirë, kështu që profesioni i arbitrit është që ta bëjë sa më të bukur këtë lojë të bukur. Ta ndihmojë për të qenë vërtetë atraktive dhe e bukur për të gjithë.

Unë dua t’ju inkurajoj, t’ju shpreh gatishmërinë e FSHF për t’ju mbështetur në të gjithë karrierën tuaj. Ky është vetëm fillimi, është fundi i akademisë, por fillimi i karrierës. Rruga është e gjatë, por padyshim do të jetë e bukur, është sportive, e lehtë nuk do të jetë. Mbështetjen do ta keni maksimale nga Federata e Futbollit, nga Shoqata e arbitrave, nga arbitrat më me eksperiencë dhe lektorët tuaj. Unë uroj që të bëni karrierë sa më të mirë, kryesisht për vajzat që realisht edhe në numër në këtë akademi kanë qenë më të shumta se në akademitë e tjera. Dua t’ju uroj suksese në karrierën e arbitrimit”, – tha Duka.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, i cili e cilësoi këtë moment si të veçantë për anëtarët e rinj të BASHF.

“Është një ditë e veçantë për ju të gjithëve dhe për ne. Që sot dhe në vazhdim ju jeni anëtarë të BASHF. Kam besim që prej jush do të kemi mjaft arbitra dhe arbitre cilësore”, – tha Kastrati.



Lexoni të gjitha në Bota Sot