Paga e 13-të, Murati: Nuk po shpikim asgjë, është praktikë e zakonshme në vendet e BE-së

- Bota Sot

Paga e 13-të, Murati: Nuk po shpikim asgjë, është praktikë e zakonshme në vendet e BE-së

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se praktika e pagës së 13-të ekziston në vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk është një ide e re, duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të AAK-së lidhur me mospërkrahjen e sektorit privat.

Ai tha se paga e 13-të është obligative në disa shtete si Italia, Spanja dhe Portugalia, ndërsa në vende të tjera si Austria, Gjermania, Holanda dhe Franca, edhe pse nuk është detyrim ligjor, ajo jepet në mënyrë zakonore çdo vit, madje në disa raste edhe paga e 14-të.

Murati theksoi se kjo çështje mbetet në dorën e punëdhënësve, por nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të bëhet obligative me ligj.

“Dhe në anën tjetër që po ashtu shtoi diçka që nuk qëndron, pra fakti që nuk jepet paga e 13-të. Pra në një hulumtim të thjeshtë, deputeti Tahiri do ta gjente se paga e 13-të është obligative në disa prej shteteve të Bashkimit Evropian, siç është Italia, Spanja, Portugalia e të tjera. Ndërkaq, megjithëse nuk është obligative ligjërisht, është zakonore pra që në fund të vitit të jepet paga e 13-të e madje në disa raste edhe e 14-ta, për çdo vit, në shtete siç është Austria, Gjermania, Holanda, Franca e ashtu me radhë. Pra nuk është që po shpikim diçka, kjo praktikë ekziston në shtetet e Bashkimit Evropian, drejt të cilit ne po aspirojmë”, tha ai.

Tutje, ai përmendi masat financiare të ndërmarra nga Qeveria për mbështetjen e familjeve dhe sektorit privat, duke theksuar se gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë ndarë 70 milionë euro si pagesë e njëhershme për familjet dhe pensionistët.

“Për sa i përket asaj se çfarë po bëhet për sektorin privat apo çfarë Qeveria ka bërë, më lejoni t’ju kujtoj që 70 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar janë dhënë si pagesë e njëhershme pra për të gjitha familjet që kanë fëmijë apo pensionistë. Pra të gjitha familjet kanë qenë përfituese. Pensionistët kanë marrë një shtesë prej 100 eurove në fund të vitit, e gjithashtu secili fëmijë dhe secila familje që ka pasur fëmijë, për çdo fëmijë ka marrë nga 100 euro shtesë. Për më tepër, pra përveç pagesës së njëhershme, më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj që me qeverisjen tonë, për sektorin privat dhe për të gjitha familjet, pra për nënat dhe fëmijët, tashmë jo një herë në vit, por çdo vit, jepen 200 milionë euro për shtesat për fëmijë dhe për shtesat për nënat lehona”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës plenare ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospërkrahje të punëtorëve të sektorit privat, pas shpërndarjes së pagës së 13-të për sektorin publik.

Ai tha se punëtorët e sektorit privat janë kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit dhe se, sipas tij, ky sektor po neglizhohet nga Qeveria.

Tahiri theksoi se pikërisht ky sektor paguan taksat që mundësojnë funksionimin e sektorit publik, duke kërkuar trajtim më të barabartë për punëtorët e ekonomisë private.



Lexoni të gjitha në Bota Sot