Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se sistemi i hyrje – daljeve i Bashkimit Evropian nga sot do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të zonës Schengen për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si: gjurmët e gishtërinjve; fotografia e fytyrës dhe të dhënat e dokumentit të udhëtimit.
Me zbatimin e plotë të tij, sistemi zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të tejkalimeve të afatit të qëndrimit.
Ministria ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, duke respektuar kushtet e përcaktuara.
Ndër kushtet kryesore përfshihen posedimi i pasaportës biometrike valide, justifikimi i qëllimit të udhëtimit, dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare, bileta e kthimit ose vazhdimit të udhëtimit, si dhe mosqenia në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë sistem.