Tirana do të luajnë të shtunën sfidën e javës së 31-të të Abissnet Superiore përballë Egnatias në stadiumin "Selman Stermasi".
Bardheblutë duan rikthimin te fitorja, pasi barazuan 1-1 me Flamurtarin në Vlorë dhe pikët në shtëpi kthehen në detyrim për kryeqytetasit, nëse duan të shpresojnë për një qëndrim në elitë edhe në sezonin e ardhshëm.
Në prag të duelit, faqja zyrtare e klubit ka publikuar dhe posterin për këtë ndeshje, ku në epiqendër shfaqet Redon Xhixha.
Si duket, skuadra beson shumë tek cilësitë e sulmuesit i cili mbetet një pikë referimi për trajnerin Orges Shehin dhe mund të udhëheqë të tijët për të qenë përcaktues në një ndeshje e cila mund të flasë shumë për fatet e Tiranës sa i takon mbijetesës.
Edhe pse forma e 27-vjeçarit nuk ka qenë më e mira e mundshme, kjo për shkak të dëmtimit që penalizoi lojtarin që të jetë në 100% të gjendjes fizike, në kampin bardheblu të gjithë besojnë se momenti i së vërtetës për Xhixhën do të vijë ndaj rrogozhinasve.