Kombëtarja shqiptare e futsallit ka marrë fitoren e parë në raundin paraeliminator të Grupit E të Kupës së Botës në Futsall 2028, duke mposhtur 2-1 San Marinon në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Parkun Olimpik “Feti Borova”.
Trajneri Erind Resuli e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Fidan Mesini (GK), Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu, Arif Limani.
Kuqezinjtë e nisën shumë mirë takimin dhe kaluan në avantazh që në minutën e 3-të me golin e realizuar nga Arbër Shkodra. Shqipëria vazhdoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 20-të Halim Selmanaj dyfishoi rezultatin për ekipin tonë.
Në pjesën e dytë, San Marino u përpoq të reagojë dhe arriti të shkurtojë diferencën në minutën e 31-të me Matteo Chezzi.
Megjithatë, Kombëtarja shqiptare administroi mirë minutat e mbetura të takimit dhe ruajti avantazhin deri në fund.
Takimi u mbyll me fitoren 2-1 të Shqipërisë.
Ndeshja e fundit e grupit do të luhet më 12 prill, ku Shqipëria do të përballet me Letoninë në orën 20:30.