Humbja 2-0 ndaj Paris Saint-Germain në çerekfinalen e parë të Champions League solli shumë diskutime te Liverpooli, por ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa e Mohamed Salah për 90 minuta.
Trajneri i “The Reds”, Arne Slot, sqaroi vendimin e tij, duke theksuar se rrjedha e lojës nuk i përshtatej profilit të sulmuesit egjiptian.
Sipas tij, skuadra ishte e detyruar të mbrohej gjatë pjesës më të madhe të takimit, duke e bërë të panevojshëm aktivizimin e Salah.
“Ne nuk e kishim topin, vetëm po mbroheshim. Kur e kemi topin, Salah është vendimtar, por në një ndeshje ku duhet të mbrohesh vazhdimisht, ai do të shpenzonte energji kot”, u shpreh tekniku holandez.
Nga ana tjetër, kapiteni Virgil van Dijk pranoi vështirësinë e përballjes, duke theksuar se PSG ishte një kundërshtar shumë i fortë dhe skuadra u detyrua të luante me shumë lojtarë pranë zonës.
Ai komentoi edhe momentin e golit të parë, duke e cilësuar si të pafat për shkak të një devijimi, ndërsa shtoi se Liverpooli mund të kishte bërë më shumë në kundërsulm.
Megjithatë, mbrojtësi holandez mbetet optimist për ndeshjen e kthimit në “Anfield”, ku pret një reagim më të fortë, sidomos në aspektin e posedimit të topit.
Në fund, fokusi i skuadrës kalon edhe te sfida e radhës në kampionat ndaj Fulham, përpara se të rikthehen te përballja vendimtare që do të përcaktojë fatin e kualifikimit për në gjysmëfinale.