Pas Brukselit, edhe Nju Jorku i jep një shuplakë të fortë Vuçiqit

- Bota Sot

Pas Brukselit, edhe Nju Jorku i jep një shuplakë të fortë Vuçiqit

Serbia ka marr edhe një goditje të rëndë ndërkombëtare, të premten.

Madje, kah nuk e priste hiq.

Shuplaka më e fundit për Aleksandar Vuçiqin dhe regjimin e tij erdhi nga Kombet e Bashkuara, organizatë kjo që ka ditur të jetë e butë me Serbinë, që goxha shumë vite.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka shprehur shqetësim të thellë për përkeqësimin e gjendjes së lirive qytetare në Serbi, duke theksuar kufizimin në rritje të hapësirës demokratike dhe presionin ndaj mediave dhe zërave kritikë.

Kritikat e tij vijnë vetëm pak ditë pas zgjedhjeve lokale në Serbi, ku siç raportohet, të cilat, të paktën në dhjetë vende u shoqëruan me shumë parregullsi.

“Raportet për rritjen e dhunës, frikësimin e votuesve dhe parregullsitë procedurale, përfshirë hyrjen e policisë në zyrat e opozitës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, ngrenë pyetje serioze për integritetin dhe atmosferën e procesit zgjedhor”, tha Türk, transmeton Danas, përcjellë KosovaPress.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut veçoi gjithashtu shtypjen e lirisë së mediave.

“I bëj thirrje autoriteteve të garantojnë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe tubimit paqësor dhe të mbështesin lirinë e mediave. Duhet të ndërmerren hapa konkretë për të rikthyer besimin e publikut në institucione dhe sundimin e ligjit, duke siguruar hetime transparente, në kohë dhe të paanshme për shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut dhe përgjegjësi për çdo parregullsi”, tha Türk.

Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi një grup eurodeputetësh i kërkuan Komisionit Evropian të shqyrtojë ndërprerjen e fondeve për Serbinë, për shkak të, siç thuhet, brutalitetit të regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj qytetarëve.

Nga ana tjetër, analistë dhe ish-diplomatë vlerësojnë se Serbia po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një “problem global”, pasi çështja e të drejtave të njeriut ka arritur në agjendën e OKB-së. Sipas tyre, reagimet ndërkombëtare tregojnë për një rritje të presionit ndaj Beogradit dhe një përkeqësim të imazhit të tij ndërkombëtar.

Sipas Branka Latinoviq, ish-ambasadore e Serbisë në OSBE, reagimi i Komisionerit të Lartë të OKB-së dhe vetë toni i deklaratës së tij për gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, veçanërisht për të drejtat politike dhe kufizimin e tyre, është diçka që duhet të shqetësojë seriozisht pushtetin.

“Para së gjithash sepse bëhet fjalë për një zyrtar të lartë të OKB-së dhe sepse autoritetet në Serbi akuzohen për kufizimin dhe cenimin e lirive të përcaktuara në Paktin e OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966. Ky është dokumenti bazë në fushën e të drejtave civile dhe politike, respektimi i të cilit pasqyron nivelin e demokracisë së një shoqërie”, ka thënë ajo për Danas. “Në këtë mënyrë, Komisioneri i OKB-së mbështet strukturat në BE që tashmë kanë paralajmëruar për erozion serioz të demokracisë në Serbi. Pas deklaratave të Türk dhe të Marta Kos për mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes financiare të BE-së, pushteti ka shumë arsye për shqetësim serioz”.

Edhe një ish ambasador tjetër i Serbisë, Sreçko Gjukiq tha se regjimi i Vuciq është bërë problem global.

“Serbia nuk ka marrë asnë mësim nga paralajmërimet e vazhdueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut që vijnë edhe nga BE, Këshilli i Evropës dhe OSBE. Qeveria vazhdon në të njëjtën mënyrë dhe bie në një kurth duke u bërë problem i përhershëm në tryezën diplomatike, si regjimet në Bjellorusi, Rusi, Korenë e Veriut, Iran…”, tha ai. “Jemi dëshmitarë se si të drejtat dhe liritë qytetare kufizohen gjithnjë e më shumë në zgjedhje, media dhe veprimtari opozitare, me përdorim gjithnjë e më të madh të forcës dhe mungesë tolerance ndaj çdo mendimi kundër pushtetit. Nuk duhet shumë largpamësi për të kuptuar se situata po përshkallëzohet dhe zgjidhja po afrohet. Sa më shumë fronte hap pushteti për të shtypur liritë, aq më shumë tregon dobësinë dhe kufizimin e vet në kohë”.

Këta analistë paralajmërojnë se vazhdimi i kufizimit të lirive demokratike dhe presioni ndaj opozitës mund të çojë në izolim më të madh ndërkombëtar të Serbisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot