Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan Eliot Engel, mik i madh i Kosovës.
Kurti theksoi se Engel, për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ishte një mbështetës i palodhur i çështjes kosovare, duke e ngritur atë në institucionet më të larta amerikane. Ai shtoi se Engel ishte një nga zërat e parë që mbështeti fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe se mirënjohja për kontributin e tij do të mbetet e përhershme.
“Takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me vëmendje dhe interes të sinqertë për të ardhmen e Kosovës. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë, ku një vend të veçantë ka kongresmeni Engel,” tha Kurti.
Ai gjithashtu shprehu ngushëllime të sinqerta për familjen dhe miqtë e kongresmenit.