Tirana do të kërkojë pikët e mbijetesës në Superiore këtë fundjavë përballë kampionëve në fuqi të Egnatias.
Trajneri Orges Shehi e di që ekipit të tij nuk i falen hapa fals nga tani deri në fundin e kampionatit, pavarësisht se kalendari e vë përballë ekipeve që luftojnë për pjesën e sipërme të tabelës, por ka besim se do t’ia dalin.
“E dimë që është një ndeshje e rëndësishme. Anën psikologjike duhet të kemi në maksimum. Egnatia në vitet e fundit ka qenë skuadra më e mirë e kampionaitit.
Duhet të bëjmë maksiumumin dhe të vlerësojmë situatat. Duke pasur parasysh që luajmë me skuadrat e pjesës së sipërme, duhet të jemi vifgjilentë dhe kërkues. Të kërkojmë maksuimumin. Në këtë pozicion ku jemi, duhet t’i marrim ndeshjet me seriozitet, sepse kampionatit po i vjen fundit.”
Në këtë sezon bardheblutë nuk ia kanë dalë të marrin asnjë rezultat pozitiv përballë rrogozhinasve dhe në 3 ndeshje këta të fundit numërojnë 3 fitore. Sfida do të luhet të dielën në orën 16:00 në “Selman Stërmasi”.
Vllaznia ka qëllim të ruajë kreun e klasifikimit përballë Teutës. Mbrojtësi Jasmin Çelikoviç vlerëson rivalin, por thotë se shkodranët duan titullin kampion.
“Ne e dimë që çdo ndeshje është e vështirë në kampionatin shqiptar. Duam të fitojmë kundër Teutës dhe të ecim hap pas hapi drejt objektivit kryesor që është titulli kampion”.
Bilanci në 3 ndeshjet e mëparshme të sezonit është i ekuilibruar me nga një fitore për secilën skuadër dhe një barazim. Ndeshja do të luhet të dielën në orën 19:00 në “Loro Boriçi”.