Real Madrid ka njoftuar ndërprerjen e çdo kontakti institucional me Federatën Spanjolle të Futbollit, duke akuzuar organin drejtues për një sistem gjykimi “të padrejtë dhe të manipuluar”
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle AS, drejtori i përgjithshëm i klubit, José Ángel Sánchez, fillimisht mori pjesë në takimet për reformimin e sistemit të arbitrimit, por më pas u tërhoq në momentin e fundit.
Ai thuhet se ka kontaktuar presidentin e Federatës për të komunikuar se Real Madrid nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, duke thelluar përplasjen mes palëve.
Akuza për ndeshjen me Girona
Klubi madrilen pretendon se “pikënisja” e krizës ishte ndeshja ndaj Girona në La Liga, ku vendimet e arbitrit Albertola Rojas janë cilësuar të njëanshme. Sipas Real Madridit, dy episode të ngjashme ndaj Kylian Mbappé janë trajtuar ndryshe, pavarësisht pamjeve televizive.
Burime pranë klubit e përshkruajnë situatën si “një garë e deformuar nga gjyqtarët”, duke theksuar se klubi nuk do të rikthehet në bashkëpunim me Federatën pa një reformë të thellë të sistemit të arbitrimit.
Një burim i afërt me drejtuesit e klubit deklaron: “Nuk kërkojmë privilegje, por drejtësi. Ajo që po ndodh është e pajustifikueshme dhe e papranueshme.”
Marrëdhënie të ftohta me Federatën
Tensionet u vunë re edhe gjatë ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munich, ku zyrtarë të lartë të futbollit spanjoll ishin të pranishëm në “Santiago Bernabéu”, por marrëdhëniet e ftohta mes palëve ishin të dukshme.
Megjithëse klubi pranon se rezultatet nuk varen vetëm nga gjykimi, ai konsideron se vendimet e arbitrave kanë ndikuar ndjeshëm në pikët e humbura dhe këmbëngul se qëndrimi i tij nuk do të ndryshojë pa reforma të thella në sistemin e arbitrimit spanjoll.