Në Shkodër do të kërkohet medoemos vazhdimësia e rezultateve, pasi në këtë pikë të sezonit çdo pikë e lënë do të ishte një "atentat" ndaj objektivit titull.
Me këtë frymë do ta presë Vllaznia sfidën e radhës në "Loro Boriçi" ndaj Teutës të cilën do ta luajë sot në orën 19:00, e vlefshme për javën e 31-të në Abissnet Superiore.
Ndaj durrsakëve, shkodranët duket se e kanë dhe "egjelin" e rivalit, i cili me këtë kundërshtar ka një insikt të përkryer kur vjen puna për të shënuar gola, madje me peshën e fitores.
Esat Mala është lojtari nga i cili do të pritet shumë në këtë duel, ndaj krahas "artilerisë" së sulmit që përbëhet nga Dodaj dhe Balaj, "Nëndetësja blu" duhet të tregohet vigjilente edhe ndaj prizrenasit i cili përballë Teutës ka shënuar dy herë këtë sezon.
Golat e tij ishin përcaktues në tri pikët që skuadra e Edi Martinit ka marrë në dy nga tre përplasjet direkte të këtij sezoni. Ndaj që prej stolit e deri tek tifozët shkodranë që do të jenë prezentë të shumtë në numër në stadium, sytë do ti kenë pikërisht drejt mesfushorit.