Përballë Egnatias, Tirana do të hidhet në fushën e lojës për të hequr njëherë e mirë makthet e një rënie hipotetike nga kategoria.
Sfida e javës së 31-të në "Selman Stërmasi" do të prodhojë emocione të shumta, pasi në fushë do të zbresin dy skuadra që kanë llogari të ndryshme në pozicionet përkatëse, ndaj dhe në orën 16:00, bardheblutë e kanë një "sprovë" personale për të hedhur pas krahëve momentin jo të mirë dhe shmangur më të keqen.
Edhe pse në përballjet direkte, "djemtë" e Shehit nuk kanë qëlluar me fat në tre ndeshjet e fundit të luajtura me rrogozhinasit, ku skuadra kryeqytetase numëron 2 humbje dhe 1 fitore, në Tiranë nuk lejohen më ndalesat dhe për të motivuar akoma më shumë ekipin ka menduar presidenti Refik Halili.
Në "tryezë" ndodhet akoma premioja e premtuar që prej ndeshjes në Vlorë me Flamurtarin, të cilën e mbylli në barazimin 1-1, ndërsa shuma mund të vijë në duart e lojtarëve, nëse ia dalin të marrin tri pikët në duelin e sotëm.
Nga turi i "ferrit" mund të vijë dhe drita e "parajsës", ndaj te Tirana ekzistojnë stimujt pozitiv për të provuar kthesën dhe shpëtuar një sezon nën pritshmëri.