Një episod i pazakontë u regjistrua në Argjentinë, ku mbrojtësi i Gimnasia de Jujuy, Emiliano Indreci, është arrestuar dhe po përballet me pasoja të rënda ligjore dhe disiplinore pas një “shakaje” që shkaktoi alarm të madh sigurie në aeroport.
Ngjarja ndodhi në aeroportin e Jujuy-t në Argjentinë, kur lojtari, para nisjes së një fluturimi drejt Buenos Aires, bërtiti “bombë” në bord të avionit.
Ky veprim aktivizoi menjëherë protokollet anti-terroriste, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje urgjente të autoriteteve.
Sipas mediave lokale, pas sinjalizimit, avioni u evakuua menjëherë dhe një ekip special për çaktivizimin e bombave kontrolloi me detaje mjetin fluturues. Pas verifikimeve u konstatua se alarmi ishte i rremë dhe nuk kishte asnjë rrezik real.
Menjëherë pas kësaj, policia arrestoi futbollistin në pistë, duke e prangosur dhe shoqëruar për marrje në pyetje nën akuzat për alarm të rremë dhe pengim të trafikut ajror, vepra që mund të sjellin dënime të rënda.
Gimnasia de Jujuy më vonë lëshoi një deklaratë zyrtare duke dënuar veprimet e mbrojtësit si “sjellje të papranueshme që dëmton imazhin e klubit”.
28-vjeçari tani përballet me dënime ligjore dhe sanksione të mundshme që mund t’i japin fund karrierës.