Caktohet gjyqtari për ndeshjen e kthimit mes Bayernit dhe Real Madridit

- Bota Sot

Caktohet gjyqtari për ndeshjen e kthimit mes Bayernit dhe Real Madridit

Gjyqtari slloven Slavko Vinqiq është caktuar zyrtarisht për të arbitruar përballjen mes Bayern Munich dhe Real Madrid, e cila do të zhvillohet të martën.

Vincic konsiderohet një nga gjyqtarët më me përvojë në arenën ndërkombëtare, me një numër të madh ndeshjesh në kompeticionet e UEFA-s, përfshirë edhe finale të rëndësishme.

Sa i përket statistikave, Bayern Munich ka një bilanc relativisht të mirë nën drejtimin e tij. Kampionët gjermanë kanë regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë ndeshje të gjykuara nga Vincic, çka tregon një performancë të qëndrueshme, por jo dominuese.

Nga ana tjetër, Real Madrid ka një histori më të zgjeruar me gjyqtarin slloven në sezonet e fundit. Skuadra madrilene ka arritur fitore të rëndësishme si ajo ndaj Benficës me rezultat 2-1 në sezonin 2025/26 dhe triumfi minimal 1-0 kundër Juventusit po në të njëjtin sezon. Një tjetër sukses i madh erdhi në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmund, ku Real Madrid fitoi 2-0 nën arbitrazhin e Vincic.

Megjithatë, madrilenët kanë përjetuar edhe një disfatë me këtë gjyqtar, atë ndaj Milanit me rezultat 1-3 në sezonin 2024/25, duke treguar se prania e tij nuk ka qenë gjithmonë e favorshme për ta.



Lexoni të gjitha në Bota Sot