Bayern s’i ruan lojtarët për Realin, thyen rekord në Bundesligë me 105 gola në sezon

- Bota Sot

Bayern s’i ruan lojtarët për Realin, thyen rekord në Bundesligë me 105 gola në sezon

Të gjithë fansat e Bayernit të Munihut do t’ia bënin hallall klubit të tyre nëse do ta ngadalësonte pak ritmin në Bundesligë, këto xhirot e fundit.

Ata do të donin që bavarezët të “pushojnë” pak së shpenzuari energji duke shënuari gola, për ta ruajtur atë duke i dhënë më shumë rëndësi lojës me Real Madridin, në Champions, të mërkurën.

Por, kështu nuk ndodhi pasi kjo thjesht s’është mënyra si funksionon skuadra e Vincent Kompany.

Lojtarët e tij vazhduan të mos e kursejnë veten, as në ndeshjen e fundjavës që shkoi, në ligën gjermane, duke mbajtur motorët ndezur e duke shënuar gola, sikur ato t’u duheshin për “jetë a vdekje” në garën për titullin e kampionit nacional.

Leon Goretzka qëlloi golin e 102-të të sezonit në ligë, në minutën e 53-të për epërsinë 2-0 ndaj St Paulit, dukë shënuar rekord në Bundesligë, pasi Jamal Musiala, kishte shënuar të 101-tin, paraprakisht. Asnjë ekip nuk e kishte arritur këtë shifër deri tashti, në kampionatin shtetëror gjerman të futbollit elitar.

Mesfushori, i cili do të largohet nga Munihu, pas tetë vitesh në verë, tha se nuk ishte i vetëdijshëm që goli i tij theu rekordin.

“Shumë gjëra të vogla bashkohen dhe në fund krijohet një moment si një lokomotivë që fillon të lëvizë. Dhe ne duam ta mbajmë atë në lëvizje”, tha ai, transmeton dpa, përcjellë KosovaPress.

Rekordi i mëparshëm prej 101 golash kishte qëndruar për 54 vjet, nga sezoni 1971-72, me një ekip ku bënin pjesë Gerd Müller, Uli Hoeness që shënoi golin e 100-të dhe Franz Beckenbauer që realizoi të fundit.

Skuadra të mëparshme të Bayern me dyshet “vrastare” Karl-Heinz Rummenigge e Paul Breitner, Stefan Effenberg e Giovane Elber, Franck Ribery e Arjen Robben dhe Robert Lewandowski e Thomas Müller iu afruan rekordit, por nuk arritën ta thyejnë, deri në ndeshjen e së shtunës së kaluar ndaj St. Pauli, ku bavarezët fituan 5 me 0, si mysafirë.

Por, nuk është që u ndalën kur u shënua historia. Kolegët e Goretzka sikur u bënë “xhelozë”, duke shënuar edhe tre prej tyre, për rezultatin final 5 me 0. Michael Olise, Nicolas Jackson dhe Raphael Guerreiro gjithashtu shënuan, duke e çuar totalin sezonal të golave për Bajernin në 105 gola.

“Ajo që më pëlqen më shumë është se këta lojtarë nuk ndalen, vazhdojnë edhe pas golit të katërt apo të pestë”, tha presidenti nderi i Bayern, Uli Hoeness, pas kësaj ndeshje, transmeton dpa, përcjellë KosovaPress. “Kështu thyhen rekordet – dhe më e rëndësishmja, kështu bëhen tifozët të lumtur, ndeshje pas ndeshjeje”.

Trajneri Vincent Kompany tha se ajo që i pëlqen në përgjithësi është se skuadra e tij, në njëfarë mënyrë përfaqëson një ekip që jep gola.

“Kjo është ajo që është FC Bayern dhe edhe ekipi ynë. Mendoj se djemtë duhet të jenë krenarë – por natyrisht, ne vazhdojmë përpara”, tha ai.

Kompany mund të përballonte të pushonte lojtarë si Harry Kane për ndeshjen e madhe të së mërkurës kundër fituesve rekordmenë të Ligës së kampionëve - Real Madrid, ku Bayern synon të përfundojë çështjen e çerekfinales, pas fitores 2-1 si mysafir në Spanjë, dhe të mbetet në garë për një tripletë titujsh.

Drejtori sportiv i Bayern, Max Eberl, tha se ekipi hyn në ndeshje ndaj mbretërve me “eufori të kontrolluar”, ndërsa Goretzka shtoi se “nuk kemi nevojë për paralajmërime, e dimë saktësisht kundër kujt po luajmë.”

“Do të jetë gjithsesi një sfidë e madhe kundër Real Madridit. Ne luajmë në shtëpi, ku ndihemi shumë mirë, ndërsa kundërshtarët zakonisht jo. Kemi krijuar një pozicion të mirë falë ndeshjes së parë, por ka ende punë për të bërë”, tha mesfushori gjerman.

Me pesë ndeshje të mbetura, shifra përfundimtare mund të rritet ndjeshëm, edhe nëse Bayern siguron titullin e 35-të kombëtar qysh të dielën e ardhshme, kur luan ndaj VfB Stuttgart.

Goretzka tha se Bayern “i mbyt” kundërshtarët dhe se “lojtarët japin gjithçka” deri në fishkëllimën e fundit, pasi Kompany nuk toleron asnjë lloj neglizhence.

Fakti që kjo skuadër theu rekordin pas kaq dekadash “tregon shumë”, sipas Hoeness.

“Më gëzoi që një djalë i ri si Lennart Karl shënoi golin e 100-të javën e kaluar – kjo tregon se FC Bayern është i përgatitur edhe për të ardhmen. E njëjta vlen për Jamal Musiala, i cili e meritoi plotësisht golin e 101-të pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak dëmtimi”, tha ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot