Klubi i futbollit KF Llapi ka reaguar zyrtarisht pas humbjes minimale 1-0 ndaj KF Drenica, duke ngritur shqetësime serioze për ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje.
Skuadra nga Podujeva ka theksuar se një vendim i diskutueshëm i gjyqtarit anësor ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin final. Sipas tyre, në një moment kyç të takimit, një aksion premtues u ndërpre gabimisht me arsyetimin se topi kishte dalë jashtë vijës, duke i mohuar ekipit një mundësi të pastër shënimi.
Llapi fillimisht kishte pritur analizën e ekspertëve të referimit, por edhe pas vlerësimeve, klubi ka theksuar se mbeten shumë paqartësi rreth vendimit të marrë në fushë. Madje, sipas tyre, situata duhej të lejohej të vazhdonte dhe më pas të verifikohej përmes sistemit VAR.
“Në një kohë kur sistemi VAR është në funksion, është e pakuptueshme pse nuk u lejua vazhdimi i aksionit, në mënyrë që situata të verifikohej më pas me korrektësi. Nëse aksioni do të lejohej të zhvillohej dhe eventualisht do të shënohej gol, VAR-i do të kishte mundur të jepte vendimin përfundimtar” – shkroi në reagimin zyrtar, KF Llapi.
Në reagimin zyrtar, klubi kërkon transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjitha skuadrat, sidomos në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, ku çdo pikë është vendimtare.
“KF Llapi kërkon trajtim të drejtë, transparencë dhe standard të njëjtë për të gjitha skuadrat, në këtë fazë të rëndësishme të garës” – shkroi më tutje KF Llapit.
Kjo humbje vjen në një moment delikat për Llapin, i cili është i përfshirë në luftën për mbijetesë, ndërsa fitorja i ka dhënë shtysë të madhe Drenicës në garën për të shmangur rënien nga liga.