Rastet e fyerjeve me bazë racizmin vazhdojnë të përsëriten në futboll.
Pas sulmeve në internet ndaj Brian Brobbey, ekipi i Sunderland ka kërkuar ndëshkimin e komentuesve, duke e cilësuar si turp për botën e futbollit dhe shoqërinë.
Klubi anglez Sunderland dënoi ashpër abuzimin racist ndaj sulmuesit Brian Brobbey, pas fitores 1-0 ndaj Tottenham Hotspur në Premier League.
Në një deklaratë zyrtare, klubi bëri të ditur se incidenti ka ndodhur në rrjetet sociale dhe është raportuar te autoritetet përkatëse, duke kërkuar masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve.
Sunderland theksoi se ky nuk është një rast i izoluar, duke përmendur edhe abuzimet e fundit ndaj Romaine Mundle dhe Lutsharel Geertruida.
"Racizmi është i neveritshëm dhe nuk ka vend në lojën tonë apo në shoqëri, dhe ne do të vazhdojmë ta shpallim hapur dhe pa kërkuar falje sa herë që ndodh, - thuhej në deklaratë ne klubit.
Edhe Premier League reagoi, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe duke premtuar bashkëpunim me klubet dhe autoritetet për të ndëshkuar autorët, deri në dënime penale dhe ndalime nga stadiumet.
Rasti vjen në një kohë kur raportet për abuzime raciste në futboll janë në rritje të ndjeshme, ndërsa organizatat kundër diskriminimit paralajmërojnë nivele rekord të incidenteve, si në stadiume ashtu edhe në internet.