Wijnaldum do të largohet nga Arabia Saudite, dëshiron të rikthehet në Premierligë

- Bota Sot

Wijnaldum do të largohet nga Arabia Saudite, dëshiron të rikthehet në Premierligë

Georginio Wijnaldum është gati ta mbyllë aventurën e tij në Arabinë Saudite dhe të rikthehet në futbollin evropian.

Mesfushori holandez, aktualisht pjesë e Al-Ettifaq, nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli, pavarësisht moshës 35-vjeçare, dhe po e synon një rikthim në Premierligë.

Ish-lojtari i Liverpoolit dhe PSG-së e ka bërë të qartë se dëshira e tij është të largohet nga Arabia në fund të sezonit, kur kontrata e tij të përfundojë, për ta nisur një kapitull të ri në një kampionat më konkurrues, shkruajnë mediat angleze.

Wijnaldum vazhdon të ndihet në formë dhe i motivuar për të luajtur në nivele të larta, duke mos e konsideruar aspak pensionimin si një opsion në këtë moment të karrierës.

Përkundrazi, ai synon të rikthehet në një ambient që e njeh mirë, si Premierliga, ku i ka kaluar vitet më të mira të karrierës së tij.

Mesfushori ka lënë gjurmë të rëndësishme në Angli, veçanërisht me fanellën e Liverpoolit, dhe ideja për një rikthim në ishull shihet si një mundësi konkrete për ta mbyllur karrierën në nivele të larta.

Situata mbetet për t’u ndjekur me kujdes në muajt e ardhshëm, me disa klube angleze që mund ta vlerësojnë profilin dhe eksperiencën e tij, ndërsa vetë lojtari duket i vendosur për t’i dhënë fund eksperiencës në Arabinë Saudite dhe për t’u rikthyer në futbollin evropian..



Lexoni të gjitha në Bota Sot