Yamal: Përmbysja është e mundur

- Bota Sot

Yamal: Përmbysja është e mundur

Futbollisti i Barcelonës, Lamine Yamal, ka folur në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Atlético Madrid në çerekfinalet e UEFA Champions League, duke shprehur besimin e plotë te një përmbysje, pavarësisht vështirësisë së sfidës.

Talenti i ri katalanas u ndal fillimisht te frymëzimi i tij më i madh, Neymar: “E kam parë disa herë ndeshjen 6-1 dhe e kam ndjekur edhe live. Neymar ka qenë pjesë e fëmijërisë sime, është idhulli im dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës për atë që i ka dhënë futbollit. Na ka frymëzuar të gjithëve.”

Duke folur për sfidën e radhës, Yamal theksoi rëndësinë e fokusit dhe reagimit në fushë: “Ka tension në çdo ndeshje. Ajo që ndodhi në ‘Metropolitano’ i përket së kaluarës. Tani jemi të përqendruar te ndeshja e radhës dhe gjithmonë përpiqem të jap maksimumin për ekipin.”

Ai vlerësoi gjithashtu besimin që i është dhënë në moshë të re: “Kam pasur fatin të marr përgjegjësi të mëdha që herët dhe nuk e shoh si barrë, por si avantazh. Besimi i shokëve të skuadrës është shumë i çmuar për mua.”

Në lidhje me të ardhmen, Yamal u shpreh ambicioz: “Nuk e di si do të jem pas tre vitesh, por shpresoj të fitoj më shumë trofe. Ëndrra ime është të fitoj Kupën e Botës dhe Champions League.”

Yamal theksoi se Liga e Kampionëve mbetet një objektiv madhor për klubin: “Është një nga kompeticionet më të rëndësishme. Gjithmonë kam ëndërruar të shënoj gola me Barcelonën në këtë turne.”

Në fund, ai dha një mesazh të qartë për tifozët: “Premtojmë se do të luftojmë deri në sekondën e fundit. Nuk do të kursejmë asgjë.

Përmbysja është e mundur nëse japim më të mirën tonë. Jemi një ekip i ri, por kemi dëshirë të madhe për të arritur në gjysmëfinale.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot