Bien këmbanat e alarmit në Rrogozhinë

- Bota Sot

Bien këmbanat e alarmit në Rrogozhinë

Nga një fundjavë që premtonte shumë, Egnatia del me duar bosh dhe me një realitet të ri përballë: diferenca me Vllazninë është thelluar në pesë pikë.

Ajo që vetëm pak ditë më parë dukej si një mundësi reale për të marrë kreun e renditjes, sot është kthyer në një objektiv gjithnjë e më të largët.

Me vetëm gjashtë javë nga fundi i kampionatit, çdo hap i gabuar peshon dyfish dhe për skuadrën nga Rrogozhina kjo fundjavë mund të rezultojë vendimtare në ecurinë e sezonit.

Humbja përballë Tiranës nuk është thjesht një ndalesë, por një goditje e fortë psikologjike dhe sportive në momentin më delikat të garës.

Pesë pikë diferencë nuk janë pak në këtë fazë, sidomos kur përpara kanë mbetur vetëm gjashtë javë. Vendi i parë tashmë duket si një mirazh, por matematika ende nuk e ka thënë fjalën e fundit. Egnatia duhet të reagojë menjëherë në ndeshjet e ardhshme, duke mos lejuar më gabime dhe duke shpresuar njëkohësisht në ndalesa të rivalëve. Çdo ndeshje nga ky moment është një finale më vete. 3

GOLA – Më shumë se rezultati, ajo që shqetëson është mënyra se si erdhi kjo humbje. Për herë të parë këtë sezon në kampionat,

Egnatia pëson tre gola brenda 90 minutave, një statistikë që nuk mund të kalohet lehtë në këtë fazë të garës.

Përjashtim bën vetëm finalja e Superkupës ndaj Dinamos, e humbur 1-3, por që i përket një tjetër konteksti. Ky fakt nxjerr në pah një brishtësi të papritur në repartin difensiv, pikërisht në momentin kur skuadra duhet të ishte më e fortë dhe më e përqendruar.

Gabimet në vendosje, mungesa e koordinimit dhe reagimi i vonuar në disa episode konkrete i kushtuan shtrenjtë ekipit.

Tre gola të pësuar nuk janë thjesht një statistikë, por një kambanë alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm. Në fundin e sezonit, ku çdo detaj bën diferencën, një mbrojtje e pasigurt mund të shkatërrojë çdo ambicie për titull.

Tashmë barra bie mbi trajnerin, i cili duhet të rikthejë ekuilibrat në skuadër dhe mbi të gjitha besimin te grupi. Egnatia ka treguar gjatë sezonit se është një ekip me potencial dhe karakter, por këto cilësi duhet të rishfaqen menjëherë në javët e mbetura. Sfida nuk është vetëm taktike, por edhe mendore.

Humbja ndaj Tiranës rrezikon të ndikojë në moralin e skuadrës, dhe pikërisht këtu duhet ndërhyrja e stafit për të mbajtur grupin të bashkuar dhe të fokusuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot