Modriç qorton portugezin dhe jo vetëm

- Bota Sot

Modriç qorton portugezin dhe jo vetëm

Milani i drejtuar nga Masimiliano Alegri u rrëzua rëndë në shtëpi me rezultatin 0-3 ndaj Udinezes, në një ndeshje ku më shumë se rezultati, ranë në sy nervozizmi dhe mungesa e qetësisë në fushë.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, tre episode gjatë takimit treguan qartë se skuadra kuqezi po kalon një moment të vështirë në aspektin psikologjik.

Goli i parë erdhi në minutën e 27-të, kur goditja e Arthur Ata, e devijuar nga Davide Bartesagi, mashtroi portierin Majk Menja.

Në këtë aksion, Aleksis Saelemakers, i cili kishte bërë një vrapim të gjatë në mbrojtje pas Nikolo Zaniolo, reagoi me nerva, duke u ankuar ndaj Rafael Leao për mungesë rikthimi në fazën mbrojtëse.

Dhjetë minuta më vonë, në të 37- ën, pikërisht nga një krosim i Zaniolos, Jurgen Ekelenkamp realizoi golin e dytë për Udinezen, duke fituar duelin në zonë ndaj Koni De Uinter. Në atë moment, Menja mbeti i shtangur, duke parë një mbrojtje të pafuqishme për të reaguar. Në pjesën e dytë, në minutën e 60-të, erdhi edhe një tjetër episod domethënës. Luka Modriç pasoi me kokë drejt Leaos, por portugezi tentoi një lojë me thembër dhe humbi topin.

Më pas, ai u ankua ndaj Niklas Fylkryg, ndërsa Modriç reagoi qetësisht, duke i bërë të qartë se duhej të luante më thjeshtë.

Një seri momentesh që përshkruajnë një “psiko-dramë” të vërtetë në fushë për Milanin. Megjithatë, sipas medias italiane, nuk bëhet fjalë për një krizë të thellë, por për një ditë të zezë që mund të ndodhë në çdo kampionat.

Gjithsesi, është e qartë se diçka duhet rregulluar, ndërsa grupi, që nga gushti deri në shkurt ishte shumë i bashkuar, duhet të rikthehet sërish në pikën e tij më të fortë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot