Zelensky: Ukraina mund të dyfishojë prodhimin e armëve nëse sigurohen fonde

- Bota Sot

Zelensky: Ukraina mund të dyfishojë prodhimin e armëve nëse sigurohen fonde

Ukraina prodhon tashmë shumicën e armëve që përdor dhe mund ta dyfishojë prodhimin nëse sigurohen fondet e nevojshme, deklaroi sot presidenti Volodymyr Zelensky gjatë një vizite në Berlin, ku arriti disa marrëveshje për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me Gjermaninë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Zelensky tha se “pjesa më e madhe e armëve që përdor Ukraina në operacione të ndryshme ,nga goditjet ndaj objektivave në thellësi të territorit, te luftimet në vijën e frontit dhe mbrojtja ajrore prodhohen tashmë brenda vendit”.

Ai theksoi se kapaciteti i prodhimit mund të dyfishohet nëse Ukraina do të kishte financime të mjaftueshme.

“Thjesht nuk i kemi paratë, por e diskutuam këtë deri diku sot”, u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas iu referua edhe një kredie prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian, e cila është bllokuar nga kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orbán, duke theksuar se këto fonde janë të nevojshme për investime.

Megjithatë, brenda BE-së ka shpresë se Hungaria mund të pranojë zhbllokimin e fondeve, pasi Orban u rrëzua nga pushteti në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke i dhënë fund një periudhe 16-vjeçare në krye të qeverisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot